U bënë shumë muaj tani që punën e kam një dhomë e ca klikime larg. Ndihem e privilegjuar me rehatinë që më krijon, veçanërisht në ditë me shi si kjo e sotmja. Përballë meje ekrani dhe dritarja që më gëzon kur më sjellë blu dhe e gëzoj kur është gri si sot. Më poshtë dua të ndaj me ju disa avantazhe të të punuarit nga shtëpia bazuar te përvoja ime e deritanishme.

Të kursen kohë

Mund të duket e parëndësishme, por kur puna nis herët në mëngjes disa minuta më tepër gjumë bëjnë ndryshimin. Fakti që tani nuk më duhet të përgatitem për të dalë bën të mundur që zgjohem rreth gjysëm ore më vonë se më parë dhe më krijon ndjesi qetësie për nisjen e një dite të gjatë, të gjatë.

Ruan Shëndetin

Ditët e ftohta të dimrit janë edhe më të ftohta për mua dhe veçanërisht në orët e para të mëngjesit. Duke qenë se disa ditë të javës pjesën e parë të mësimdhënies e përfundoj rreth orës 11.00, të mos dalurit herët në mëngjes e ruan shëndetin tim dhe bën që të sëmurem rrallë nga sëmundjet e stinës. Nëse jeni delikate si unë, është zgjedhje e zgjuar.

Pranë Kompjuterit

Mua më më pëlqen shumë të mësoj rreth teknologjisë dhe se si ta përdor atë në punën time. Të punuarit online nga shtëpia bën të mundur që në mësimdhënien time të përfshij programe a faqe të ndryshme për t’i dhënë kripën e duhur orës së mësimit.

Pa Ëmbëlsira e Sandwich-e

Kur je larg shtëpisë dhe të rastisë edhe një furrë buke me ëmbëlsira përballë, e ke të lehtë të tundohesh. Tani unë mund t’i ha vaktet rregullisht, përfshirë edhe një mëngjes të vockël, pa molto a të tjera ëmbëlsira nga ‘Furrë Buke Karabashi’ apo ‘Gjergji’. 🙂 Kjo më bën të ndihem mirë me dietën time. Diçka tjetër që kam nisur ta bëj së fundmi, veçanërisht në seancat 120 minutëshe është të ha një frut në pushimin 5-minutësh midis orëve. Më bën të jem më energjike për pjesën e dytë të mësimit.

Qetësi

Kur punoja nga Smart Center, hera-herës nevojitej të shkëputesha nga mësimi dhe kjo më shkaktonte stres sado që minutat e humbura ia zëvendësoja gjithmonë studentëve. Tani maksimumi mund t’i përgjigjem, me lejen e studentëve,  ndonjë telefonate të rëndësishme. Ndihem kështu më produktive dhe e përqëndruar në punë.

Në një pasmësim të qetë shtëpie e shkrova edhe këtë postim. Uroj t’ju bëjë të mendoni se si mund të punoni edhe ju nga shtëpia dhe t’i dhuroni vetes rehatitë që përmenda më sipër.