Qëndrim të mbarë në blogun tim të parë!
  • / Comments Off on Për sa kohë mësohet anglishtja?

Për sa kohë mësohet anglishtja?

Kjo është një ndër pyetjet që më bëhet më shpesh si nga studentët që pres në qendër çdo javë, ashtu edhe nga ata që interesohen nëpërmjet faqes tonë. Patjetër që nuk është pyetje që merr një përgjigje të prerë duke qenë se arritja e një niveli të caktuar të gjuhës angleze varet nga disa faktorë, si:

Edra XhaxhoMotivimi i Studentit

Është fakt që studentët e motivuar mësojnë më shpejt dhe mbajnë mend më gjatë se ata që e ndjekin një kurs gjuhë thjesht se është për t’u bërë. Të pasurit e një arsyeje, sikurse të studjuarit a të emigruarit jashtë shtetit, përgatitja për një vend pune, përgatitja për një provim ndërkombëtar e të tjera si këto, e nxit një student ta shohë kursin me më tepër rëndësi dhe madje t’i japë edhe me tepër shije orëve mësimore.

Disponueshmëria

Një student që ka kohë të lirë mjaftueshëm për të punuar edhe autodidakt përveç kursit, patjetër që do ecë më shumë se pjesa tjetër e grupit. Më kujtohet që në kursin tim të parë të anglishtes, kohë të lirë kisha boll. Si rrjedhojë, edhe mësova shumë shpejt dhe mendoj se mësova edhe shumë mirë.

Personaliteti

Nga përvoja e deritanishme, studentët që kanë mësuar më shpejt kanë qenë edhe ata më të shkathtit. Frika nga të bërit gabime dhe të dukurit keq në sy të studentëve të tjerë, i tkurr disa studentë të provojnë të flasin e ta vënë në praktikë anglishten që po mësojnë. Duke praktikuar më pak, edhe nxihet më pak.

Mosha

Mosha ideale për të nisur një gjuhë të huaj është fëmijëria. Unë e kam nisur kursin tim të parë dhe shumë të këndshëm kur isha 15 vjeçe. Adoleshenca konsiderohet moshë shumë e përshtatshme për të nisur një kurs gjuhe. Kalimi i viteve, bashkuar me vështirësitë që disa prej tyre mund të kenë, bën që anglishtja të mos mësohet aq shpejt sa një adoleshent a 20 vjeçar.

Talenti 

Unë mendoj dhe jam e bindur se çdokush mund ta mësojë një gjuhë të huaj. Por, njëkohësisht, besoj se disa studentë janë thjesht më të talentuar se disa të tjerë për ta bërë këtë. Është ajo që ne në përditshmërinë tonë e quajmë prirje. Disa studentë janë më të prirur për t’i shqiptuar fjalët saktë, për t’i renditur fjalët po saktë dhe për të qenë përgjithësisht më të saktë.

Duke pasur parasysh arsyet e mësipërme, ndoshta do ju ndihmojë të gjithëve ky përcaktim kohëzgjatjeje nga Cambridge ESOL:

Për të qenë niveli A2 duhet t’i kesh kushtuar anglishtes, 180–200 orë;
Për të qenë niveli B1 duhet t’i kesh kushtuar anglishtes, 350–400 orë;
Për të qenë niveli B2 duhet t’i kesh kushtuar anglishtes, 500–600 orë;
Për të qenë niveli C1 duhet t’i kesh kushtuar anglishtes, 700–800 orë,
Për të qenë niveli C2 duhet t’i kesh kushtuar anglishtes, 1,000–1,200 orë.

Si ta Mbajmë Anglishten Fresh

Më ndodh shpesh që të takoj ish-studentët e mi të Smart-it dhe si normalisht të komunikoj me ta në anglisht edhe në rrugë. Edhe disa muaj shkëputje nga kursi lënë gjurmë në rrjedhshmërinë e tyre. Duke qenë se jo të gjithë e kanë mundësinë ta mbajnë anglishten të përditësuar nëpërmjet kurseve, po ndaj me ju disa këshilla rreth freskimit të anglishtes suaj.

Dëgjoni Muzikë me Tekst

Në kohën e lirë a në një pushim pune, mënyra e vetme se si mund të praktikojmë gjuhën është duke bërë atë që na pëlqen. Muzika, ndoshta edhe për lidhjen shpirtërore që krijojmë me të, është ajo që nuk na harxhon shumë kohë, por që nëpërmjet një kënge mund që, përveçse të përmirësojmë a përditësojmë atë anglishte që zotërojmë tashmë, të zgjerojmë edhe fjalorin me fjalë a shprehje të reja që zakonisht i përkasin anglishtes të përdorshme edhe në gjuhën e përditshme.

Mbajeni Facebook-un në Anglisht

Rrjetet sociale janë ata që na marrin kohën më të madhe të çdo dite. Për këtë arsye sygjeroj ta mbani atë në anglisht, duke qenë se Facebook-u gjeneron disa fjalë që nuk ndodh t’i hasni nëpër metoda për mësimin e gjuhëve të huaja. Përveç kësaj, është zgjedhje e zgjuar të ‘pëlqeni’ faqe për mësimin e gjuhës angleze. Në faqen tonë në facebook, ne postojmë shpeshherë thënie në gjuhën angleze të përkthyera edhe në shqip. Ndoshta mësoni ndonjë fjalë të re ndër to; mua më ndodh të mësoj.

Dëgjoni Podcast-e

Podcast-et janë zakonisht materiale audio mbi tema të ndryshme. Edhe pse fjala podcast është tepër i dëgjuar në botën onlinë këto vitet e fundit, ajo vetë është neologjizëm edhe në gjuhën angleze dhe e ka prejardhjen nga fjala broadcast (transmetim). Këto audio dëgjohen më së shumti në mp3 player-a dhe më i famshmi ndër ta është iPod-i i Apple-it, nga, siç mund ta kuptoni, e ka marrë emrin edhe podcast-i. Përpos emrit, unë vetë i dëgjoj gjithmonë nga laptop-i, ndërsa i fejuari im, Baki, i dëgjon edhe duke ngarë. Duke qenë se podcast-et përfshijnë tema të panumërta, është mënyrë e shkëlqyer për të mësuar më tepër rreth profesionit tuaj, si dhe për ta mbajtur anglishten fresk fare. Unë kam provuar të shkarkoj këtu dhe këtu.

Ndiqni WikiHow

WikiHow është një faqe që përveçse ju mëson se si të bëni shumë, shumë gjëra, ua mëson këto në mënyrën më të këndshme të mundshme, nëpërmjet fotove argëtuese dhe shpjegimeve të shkurtra. Do kënaqeni me të dhe për më tepër do të harxhoni shumë pak kohë.

Lexoni Libra

Ku ka më bukur se një e shtunë a e dielë me libër në dorë, veçanërisht kur je e ulur në një kafene të qetë, veçanërisht kur ndodh të jetë edhe buzë detit. Librat mund të jenë edhe në anglisht. Nëse jetoni në Vlorë, unë mund edhe t’ju huazoj ndonjë. Për ju që mendoni se anglishtja juaj nuk është ende e fortë për t’u përballur me libra, një ide e mirë janë dhe Readers-at. Këto janë romane të famshme me një anglishte të thjeshtësuar sipas niveleve. Çmimi i tyre varion nga 600 deri në 1000 a 1200 lekë. Unë bleva një të tillë në gjuhën frënge në panairin e fundit të librit që u zhvillua në Tiranë. Ne kemi disa tituj në Smart Center të cilët mund t’i huazoni kur të dëshironi.

British Council

British Council mund të jetë ndër faqet më të pasura me materiale tepër tërheqëse për mësimin e gjuhëve të huaja, kryesisht asaj angleze. Është nga ato faqe që duhet ta vizitoni përditë nëse ia doni të mirën anglishtes tuaj. Në të do të gjeni si podcast-e ashtu edhe materiale video, bashke me lojra e quiz-e të ndryshme për mësimin e gjuhës. Mos iu ndani!

Këshilla më e mirë që mund t’ju jap të gjithë studentëve, ish studentëve e të gjithë atyre që dëshirojnë një anglishte për t’u mburrur është të praktikohen sa më shumë në komunikim. Një studentja jonë, Enxhi, më tregon se në facebook ka shoqe spanjolle dhe, përveç kursit të spanjishtes që ndoqi në qendrën tonë, kjo është arsyeja që spanjishtja e saj është e hatashme. Gjeni edhe ju shoqe në facebook, por zgjidhini shoqet të mira, ama.

Që të jesh mësues i mirë

E pyes veten shpesh nëse vetë jam mësuese e mirë. Edhe studentët i pyes se cilat cilësi e bëjnë një mësues të tillë. Nga ajo që kam mësuar prej tyre dhe nga ajo që jam e do doja të isha, një mësues i mirë:

Influencon dhe Frymëzon Studentët

Mësimdhënia nuk prek vetëm pjesën pedagogjike. Mësuesit e mirë mbahen mend se kanë prekur jetën e personalitetin tënd. Janë ata që kanë besuar te ty dhe aftësitë e tua, duke ndikuar kështu në rritjen personale. Mësuesit e mirë influencojnë me dijen e tyre, por mbi të gjitha me personalitetin që kanë. Mua tani më kujtohet Diana, Diana Sarlitto, vullnetare e Peace Corps-it në Vlorë. Diana e bënte çdo njeri, student a mësues koleg, të ndihej i rëndësishëm. Nuk është e lehtë të jesh e tillë, ndaj nuk janë të shumtë mësuesit influencues.

Shpjegon Mirë

Që një mësues i mirë duhet ta zotërojë lëndën shumë mirë a shkëlqyer, kjo nuk do shumë mend për ta kuptuar, por që ta përcjellësh atë lehtësisht te studentët kjo është mjeshtëri, sipas meje, e lindur. Mësuesit e mirë janë ata që janë të qartë dhe e bëjnë lëndën sa më të prekshme në realitet dhe veçanërisht ata që nuk dalin dot nga klasa nëse një student nuk i ka kuptuar.

Përditëson Dijet e Tij

Ndonjëherë mësuesit harrojnë të jenë nxënës. Mësuesit që e ndezin pasionin e tyre për mësimdhënien duke lexuar gjithmonë rreth mësimdhënies dhe teknikave e risive të saj janë ata që japin më të mirën në klasë, duke qenë se e kanë entuziazmin gjithmonë lart. Këta lloj mësuesish marrin pjesë në konferenca jo për t’u certifikuar, por për të freskuar dijet dhe dashurinë për punën e tyre. Sepse për frymëzimin nuk do pritur; atij duhet t’i shkosh pas.

Është Pozitiv dhe Tolerant

Toleranca është një vlerë që mësuesi duhet ta kultivojë te çdo fëmijë. Mësuesi mund ta modelojë tolerancën duke qenë edhe vetë i tillë. Të jesh tolerant nuk do të thotë të mos jesh kërkues. Do të thotë se nëse ju keni patur një herë një ditë të keqe dhe nuk keni ardhur i përgatitur në klasë, duke mos e lënë këtë të kuptohet te studentët, edhe studentët mund ta kenë një të tillë, edhe dy madje. Mësues i mirë është ai që është empatik dhe nuk sheh vetëm ditët e këqija te studentët e tij.

Nuk Bërtet 

Unë nuk e kam sfiduar veten ende duke dhënë mësim në shkollat publike dhe mendoj se durimi kalitet më së miri atje. Atje edhe ndoshta humbet për fare. Gjithsesi, nga përvoja e shkurtër që kam pasur gjatë praktikës mendoj se respekti i studentëve edhe mund të fitohet pa pasur nevojë për të bërtitur. Në fakt, pavarësisht se sa më pëlqen të bërtas në shtëpi, nuk më kanë pëlqyer asnjëherë mësuesit që bërtasin dhe përpiqem, duke ia dalë mbanë relativisht mirë, të mos iu bërtas studentëve.

Është Kreativ

Pikaso thotë se çdo fëmijë është kreativ por problemi është të mbeten të tillë kur rriten. Fëmijët mund t’i ruajmë kreativë edhe duke qenë mësues kreativë. Për të qenë kreativë, edhe nëse nuk jemi natyrshëm, mund të punojmë për të përmirësuar veten. Të lexuarit nga pak përditë a përjavë për profesionin tonë na bën të jemi më të hapur drejt ideve të reja dhe risive të mësimdhënies të cilat mund t’i përshtasim në kontekstin tonë duke iu dhuruar kështu studentëve shije të ndryshme të nxëni.

Mësuesit e mirë kanë kushedi se sa cilësi të tjera. Nuk është ende vonë të fillojmë të zhvillojmë disa prej tyre që sot; sepse mësues i mirë lind, por edhe bëhesh. Unë doja ta mbaja shkurt këtë postim të sotëm dhe mezi pres ndonjë mësues/e a student të shtoj të tjera tiparë nga përvoja personale.

Të Punosh Nga Shtëpia

U bënë shumë muaj tani që punën e kam një dhomë e ca klikime larg. Ndihem e privilegjuar me rehatinë që më krijon, veçanërisht në ditë me shi si kjo e sotmja. Përballë meje ekrani dhe dritarja që më gëzon kur më sjellë blu dhe e gëzoj kur është gri si sot. Më poshtë dua të ndaj me ju disa avantazhe të të punuarit nga shtëpia bazuar te përvoja ime e deritanishme.

Të kursen kohë

Mund të duket e parëndësishme, por kur puna nis herët në mëngjes disa minuta më tepër gjumë bëjnë ndryshimin. Fakti që tani nuk më duhet të përgatitem për të dalë bën të mundur që zgjohem rreth gjysëm ore më vonë se më parë dhe më krijon ndjesi qetësie për nisjen e një dite të gjatë, të gjatë.

Ruan Shëndetin

Ditët e ftohta të dimrit janë edhe më të ftohta për mua dhe veçanërisht në orët e para të mëngjesit. Duke qenë se disa ditë të javës pjesën e parë të mësimdhënies e përfundoj rreth orës 11.00, të mos dalurit herët në mëngjes e ruan shëndetin tim dhe bën që të sëmurem rrallë nga sëmundjet e stinës. Nëse jeni delikate si unë, është zgjedhje e zgjuar.

Pranë Kompjuterit

Mua më më pëlqen shumë të mësoj rreth teknologjisë dhe se si ta përdor atë në punën time. Të punuarit online nga shtëpia bën të mundur që në mësimdhënien time të përfshij programe a faqe të ndryshme për t’i dhënë kripën e duhur orës së mësimit.

Pa Ëmbëlsira e Sandwich-e

Kur je larg shtëpisë dhe të rastisë edhe një furrë buke me ëmbëlsira përballë, e ke të lehtë të tundohesh. Tani unë mund t’i ha vaktet rregullisht, përfshirë edhe një mëngjes të vockël, pa molto a të tjera ëmbëlsira nga ‘Furrë Buke Karabashi’ apo ‘Gjergji’. 🙂 Kjo më bën të ndihem mirë me dietën time. Diçka tjetër që kam nisur ta bëj së fundmi, veçanërisht në seancat 120 minutëshe është të ha një frut në pushimin 5-minutësh midis orëve. Më bën të jem më energjike për pjesën e dytë të mësimit.

Qetësi

Kur punoja nga Smart Center, hera-herës nevojitej të shkëputesha nga mësimi dhe kjo më shkaktonte stres sado që minutat e humbura ia zëvendësoja gjithmonë studentëve. Tani maksimumi mund t’i përgjigjem, me lejen e studentëve,  ndonjë telefonate të rëndësishme. Ndihem kështu më produktive dhe e përqëndruar në punë.

Në një pasmësim të qetë shtëpie e shkrova edhe këtë postim. Uroj t’ju bëjë të mendoni se si mund të punoni edhe ju nga shtëpia dhe t’i dhuroni vetes rehatitë që përmenda më sipër.

Si herën e parë

Dilema që kisha ishte nëse këtë postim të parë do e shkruaja në shqip a në anglisht. U zgjidh!

Kishte kohë që doja të zgjohesha në mëngjes e të shkruaja. Të shkruaja dhe pastaj të nisja një tjetër ditë me frymëzim dhe vetëmotivim. Erdhi dita. Në këtë blog personal do të ndaj me ju përvoja nga përditshmëria ime e mësimdhënies dhe jo vetëm. Preferoj që blogun ta mbaj joformal sikurse jam edhe gjatë kësaj përditshmërie.

Sonte do fle me blogun në mendje. Gjumin e ëmbël të gjithëve!